Tregjet financiare të Turqisë janë përfshirë nga një prej episodeve më të forta të tensionit të viteve të fundit, pasi problemet e likuiditetit në disa fonde investimi shkaktuan tërheqje masive të parave, shitje të forta në Bursën e Stambollit dhe ndërhyrjen e autoriteteve për të shmangur përhapjen e krizës.
Autoriteti turk i tregjeve të kapitalit, SPK, ka urdhëruar likuidimin e 131 fondeve të investimit të administruara nga shtatë kompani, ndërsa procesi prek rreth 891 miliardë lira turke aktive dhe afërsisht 353 mijë investitorë, sipas Reuters.
Fondet u përkasin kompanive Tera Portföy, Pusula Portföy, Hedef Portföy, Atlas Portföy, A1 Capital Portföy, Pardus Portföy dhe Bulls Portföy. Për likuidimin e tyre janë ngarkuar dy prej bankave më të mëdha të Turqisë: İş Bankası do të menaxhojë fondet e Tera Portföy, ndërsa Ziraat Bankası do të marrë përsipër fondet e gjashtë kompanive të tjera.
SPK kishte parashikuar fillimisht që procesi të përfundonte brenda tre muajve, por më 21 shtator e zgjati afatin maksimal në gjashtë muaj, duke argumentuar se struktura e portofoleve dhe kushtet e tregut kërkojnë më shumë kohë, në mënyrë që asetet të mos shiten me nxitim dhe me çmime të pafavorshme. Autoriteti theksoi se zgjatja e afatit nuk do të thotë se likuidimi do të zgjasë domosdoshmërisht gjashtë muaj.
Gjatë procesit, aksionet, obligacionet, depozitat dhe asetet e tjera të fondeve do të shiten gradualisht. Pasi të zbriten detyrimet dhe kostot e likuidimit, paratë e mbetura do t’u shpërndahen investitorëve në raport me kuotat që zotërojnë. Bankat që drejtojnë procesin nuk garantojnë një shumë të caktuar që do të rikuperohet nga secili investitor, pasi ajo do të varet nga çmimet me të cilat asetet mund të shiten.
Si nisi kriza
Problemet dolën në sipërfaqe kur disa fonde të Pusula Portföy nuk arritën të përmbushnin në kohë kërkesat e investitorëve për të tërhequr paratë. Më pas u raportuan vonesa edhe në fonde të tjera, duke shkaktuar një valë kërkesash për tërheqje dhe duke detyruar menaxherët e fondeve të shisnin aktive për të siguruar likuiditet.
Më 16 shtator, indeksi kryesor BIST 100 ra me më shumë se 5%, ndërsa rreth 1 miliard dollarë u tërhoqën nga fondet turke vetëm gjatë një dite, sipas të dhënave të cituara nga Financial Times.
Problemi ishte se disa nga fondet kishin investuar pjesë të mëdha të portofolit në një numër të kufizuar aksionesh relativisht jolikuide. Kur investitorët kërkuan paratë, shitja e këtyre titujve ushtroi presion mbi çmimet; rënia e çmimeve uli vlerën e fondeve dhe krijoi kërkesa të reja për dalje, duke ushqyer një cikël të mëtejshëm shitjesh.
Financial Times e ka përshkruar strukturën që ishte krijuar në disa prej këtyre fondeve si një mekanizëm “të ngjashëm me një skemë Ponzi”, por ky është karakterizimi i gazetës dhe jo një përcaktim ligjor i autoriteteve turke. Sipas analizës së FT, disa fonde kishin grumbulluar aksione në kompani me lidhje mes tyre dhe me sasi të vogël aksionesh në treg të lirë.
Fondet blinin në mënyrë të përsëritur aksione të caktuara, duke rritur kërkesën për to dhe, si rrjedhojë, edhe çmimin e tyre në bursë. Rritja e çmimit të këtyre aksioneve e shtonte artificialisht edhe vlerën e portofolit të fondeve, duke krijuar përshtypjen e kthimeve të larta. Këto rezultate tërhiqnin investitorë të rinj, ndërsa paratë e tyre përdoreshin për të blerë sërish të njëjtat aksione ose aksione të kompanive të lidhura, duke ushqyer më tej rritjen e çmimeve dhe të vlerës së fondeve.
Kur investitorët nisën të tërhiqnin paratë, fondet u detyruan të shisnin asetet që mbanin në portofol. Por për shumë prej tyre nuk kishte blerës të mjaftueshëm pa ulur fort çmimet, ndaj fondet nuk arritën të siguronin shpejt paratë e nevojshme për të përballuar kërkesat për tërheqje. Pikërisht në këtë moment u bë e dukshme mungesa e likuiditetit.
Banka Qendrore ndërhyri me likuiditet
Për të frenuar tensionet, Banka Qendrore e Turqisë rriti financimin përmes operacioneve repo në 300 miliardë lira dhe shumëfishoi kufijtë e huamarrjes së bankave në tregun ndërbankar.
Autoritetet ulën gjithashtu përkohësisht kërkesën e mirëmbajtjes së marzhit për tregtimin e aksioneve me kredi, nga 35% në 20%, për të lehtësuar presionin mbi ndërmjetësit financiarë. Pas masave, tregu rikuperoi një pjesë të humbjeve.
Ministri turk i Financave, Mehmet Şimşek, ka insistuar se situata nuk përbën rrezik sistemik për sistemin financiar. Sipas tij, fondet që po likuidohen përfaqësojnë rreth 10% të madhësisë së tregut të fondeve, ndërsa pjesa tjetër po funksionon normalisht.
Hetimi për manipulim të tregut zgjerohet
Kriza e likuiditetit është shoqëruar edhe me një hetim penal për transaksionet në bursë.
SPK paraqiti kallëzime penale ndaj 38 personave, nën dyshimin për manipulim të aksioneve të tre kompanive të listuara – Katılımevim, Gündoğdu Gıda dhe Destek Finans Faktoring – dhe vendosi ndalim dyvjeçar tregtimi për personat e përfshirë.
Hetimi është zgjeruar më tej. Më 21 shtator, autoritetet ndaluan 15 persona në lidhje me transaksionet e aksioneve të Katılımevim. Prokuroria ka nisur procedime ndaj 25 të dyshuarve, ndërsa dhjetë prej tyre vijonin të kërkoheshin.
Autoritetet kanë urdhëruar gjithashtu ngrirjen ose kufizimin e transaksioneve me pasuritë që lidhen me drejtues dhe zyrtarë të nëntë kompanive financiare, përfshirë subjekte të lidhura me Pusula, Tera, Hedef dhe Bulls. Bankat, noterët, zyrat e regjistrimit të pronave dhe agjencia turke kundër pastrimit të parave MASAK janë udhëzuar të parandalojnë transferimin ose zvogëlimin e pasurive objekt hetimi. Masat shtrihen edhe te disa transaksione të drejtuesve, personave me të drejtë firme dhe familjarëve të afërt.
Në fazat e mëparshme të hetimit, disa drejtues të kompanive të përfshira janë arrestuar, ndërsa dhjetëra persona janë vendosur nën kufizime udhëtimi dhe masa mbi pasuritë.
Një nga episodet që tërhoqi më shumë vëmendje lidhej me drejtuesin e Pusula Portföy, Muhammed Yarız. Media turke raportoi se ai kishte udhëtuar me varkë nga zona e Marmarisit drejt Greqisë në kohën kur hetimi po zgjerohej, duke ngritur pretendime se po largohej nga vendi.
Yarız e mohoi se po arratisej dhe deklaroi se kishte qenë jashtë qytetit për pushime dhe se ishte paraqitur vullnetarisht para autoriteteve. Ai u arrestua më pas në kuadër të hetimit.
Paralajmërimet kishin ardhur më herët
Problemet me strukturën e tregtimit të disa aksioneve turke nuk ishin krejtësisht të papritura.
Ofruesi ndërkombëtar i indekseve MSCI kishte ngritur më herët shqetësime për modele të mundshme tregtimi të koordinuar mes fondeve dhe kompanive të vogla të listuara. Sipas raportimeve, MSCI kishte paralajmëruar se mosmarrja e masave mund të ndikonte edhe në klasifikimin e Turqisë si treg në zhvillim.
Financial Times raportoi se disa prej aksioneve të përfshira kishin shënuar rritje shumë të mëdha përpara shpërthimit të krizës, ndërsa përqendrimi i aksioneve në pak duar dhe qarkullimi relativisht i ulët e bënin të vështirë daljen nga pozicionet pa shkaktuar rënie të fortë të çmimeve.
Për 131 fondet që ndodhen në likuidim, SPK ka zgjatur afatin deri në gjashtë muaj për t’u dhënë İş Bankası dhe Ziraat Bankası më shumë hapësirë për shitjen e portofoleve në varësi të likuiditetit dhe kushteve të tregut.
Një tjetër operacion financiar, por i ndarë nga kriza e fondeve
Në të njëjtën periudhë, autoritetet turke kanë zhvilluar edhe një operacion të madh kundër një rrjeti ndërkombëtar të dyshuar për mashtrime në forex dhe kriptomonedha.
Sipas TRT World, hetuesit pretendojnë se rrjeti përdorte qendra telefonike dhe reklama në rrjetet sociale për të joshur investitorë nga vende të ndryshme me premtime për kthime të larta.
Platformat u shfaqnin klientëve fitime të simuluara, lejonin tërheqje të vogla në fillim për të krijuar besim dhe më pas bllokonin tërheqjen e shumave më të mëdha. Autoritetet turke e kanë lidhur rrjetin me struktura të vendosura jashtë vendit dhe kanë sekuestruar materiale dixhitale gjatë operacioneve në dhjetëra qendra telefonike./ Financial Times, TRT World