Shqipëria me dy sezone: gushti që gumëzhin, janari që hesht
Në kulmin e gushtit, bregdeti shqiptar gumëzhin si një qytet i përkohshëm. Durrësi, Vlora, Saranda me rrugë të ngjeshura, parkime të improvizuara dhe plazhe që e humbin dallimin mes rërës dhe turmave.
Në ato ditë të nxehta, turizmi kthehet në stres-test. Një vend që e do vëmendjen, por që shpesh i mungon kapaciteti për ta menaxhuar pa humbur dinjitetin e vet. Dhe pastaj vjen janari.
Fshatra malorë si Thethi apo Voskopoja mbulohen nga bora dhe qetësia, bujtinat hapin dyer kryesisht fundjavave, ndërsa pjesa tjetër e javës kalon me një lloj pritjeje të tipit “po ra borë mirë, po s’ra, prapë mirë”.
Kjo është panorama jonë: një verë e stërmbushur dhe një dimër i qetë, pothuaj i harruar. Statistikat e konfirmojnë kontrastin. Rreth 60% e vizitorëve hyjnë në vend gjatë tre muajve të verës (qershor–gusht), ndërsa në dimër (dhjetor–shkurt) mbërrijnë vetëm 12%.
Me fjalë të tjera, turizmi ynë punon në “modalitet piku” për disa javë dhe pastaj bie në heshtje për muaj të tërë. Dhe kjo heshtje përkthehet në dyer të mbyllura, të rinj që largohen nga fshatrat, ekonomi që nuk gjen dot ritmin, dhe një Shqipëri malore që mbetet jashtë kamerës pikërisht kur do të kishte më shumë ç’të tregonte.
Në një kohë kur turizmi europian po kërkon gjithnjë e më shumë udhëtime “slow”, përvoja natyre, dimër të butë, ecje, gastronomi lokale dhe aventura të vogla, edhe Shqipëria po shfaqet në radar si një “destinacion i ri” jo vetëm për verë, por edhe për dimër.
Por këtu nis pyetja: a jemi gati ta mbajmë këtë pritshmëri? Në verë, e dimë mirë se çfarë ndodh kur kërkesa rritet më shpejt se kapacitetet: infrastruktura lodhet, shërbimet tensionohen dhe mjedisi paguan faturën.
Dimri, nga ana tjetër, përtej një sezoni të dobët, do të ishte mundësia për ta shpërndarë ekonominë turistike në kohë dhe në territor dhe për t’u dhënë jetë zonave malore kur ato zakonisht fiken, dhe për të kaluar nga “turizmi i turmave” te “turizmi i përvojës”. Por dimri është një sfidë e madhe për vendin tonë.
Kërkon organizim, siguri, standard dhe një mënyrë zhvillimi që nuk e gërryen natyrën, sidomos tani kur ndryshimet klimatike po e bëjnë “borën e sigurt” një burim gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
Pse turizmi shqiptar përqendrohet te vera?
Shqipëria e ka ndërtuar identitetin turistik historikisht mbi formulën “det-diell-rërë”. Investimet, marketingu dhe vetë kultura e pushimeve janë rreshtuar për dekada rreth bregdetit.
Është një logjikë e kuptueshme. Shqipëria ka klimë mesdhetare dhe një vijë bregdetare të gjatë, ndërsa tregu rajonal kërkon destinacione verore të afërta dhe me kosto të ulët.
Ndërkohë malet mbeten “sfond” i bukur, por jo produkt turistik. Dhe kur një vend e ndërton ekonominë turistike mbi një sezon të vetëm, ai kthehet automatikisht në vend të pikut me “gjithçka” të përqendruar në pak javë dhe “boshllëk” për pjesën tjetër të vitit.
Për vite me radhë, promovimi kombëtar e ka riprodhuar këtë model bregdetar, ndërsa mali ka mbetur kryesisht “sfond”. Loren Roço, themelues i “Adventure & Fun Albania” një operator turistik hyrës i specializuar në turizmin e aventurës në të tëra sezonet, dhe që punon me udhëtarë të huaj, si dhe instruktor për udhërrëfyes turistik hiking/trekking, na tregon se Shqipëria mbetet ende një destinacion i “virgjër” dhe i “egër” i turizmit dimëror, thuajse krejtësisht i pazbuluar nga udhëtarët vendas e të huaj.
Imazhi i Shqipërisë në panaire, broshura dhe fushata ka qenë kryesisht bregdetar, urban dhe kulturor; rrallë malor dhe asnjëherë si destinacion i turizmit dimëror. Kur oferta dimërore është e pakët, bizneset nuk investojnë sepse nuk ka klientë dhe klientët nuk vijnë sepse nuk ka ofertë.
Dhe kështu dimri mbetet “i bukur për një fundjavë”, por jo i strukturuar si produkt që prodhon ekonomi të qëndrueshme. Në këtë kuptim, problemi i dimrit nuk është se “nuk kemi çfarë t’u tregojmë njerëzve”, por se nuk e kemi bërë ende dimrin të funksionojë si sistem.
Çfarë i mungon dimrit shqiptar?
Mungesa e parë është ajo që s’duket në rrjete sociale: aksesueshmëria. Shumë zona malore me potencial dimëror mbeten të brishta kur bie dëbora. Segmente që bllokohen, akull që e kthen udhëtimin në një rrezik të panevojshëm, pastrim që vjen me vonesë.
Dhe kur destinacioni është i bukur, por i pasigurt për t’u arritur, ai mbetet për vizitorin një zgjedhje “me fat” e minutës së fundit dhe jo një sezon i planifikueshëm. Për vizitorin e huaj, sidomos ai që planifikon, rezervon dhe ka pritshmëri, mungesa e një aksesimi të qëndrueshëm është stop i menjëhershëm.
Hallka e dytë është besueshmëria e shërbimeve bazë. Në dimër, ndërprerjet e energjisë, ngrohja e paqëndrueshme dhe infrastruktura e vjetruar dhe me kapacitete të kufizuara e ujit dhe kanalizimeve i kthejnë destinacionet në një provë për bujtinën dhe jo në përvojë për turistin. Bujtinat shqiptare kanë bërë mrekulli me pak mundësi që kanë.
Kjo është pjesë e meritës së turizmit malor, por në një treg më të gjerë, “mrekullia” nuk mund të shitet si standarde. “Turisti, më shumë se luks, kërkon siguri: të mbërrijë pa stres në vendin e akomodimit, të ngrohet, të thajë rrobat e këpucët, të lahet me ujë të ngrohtë dhe të flejë mirë. Pra, të ketë një shërbim minimal të parashikueshëm”, thotë Loreni.
Mungesa e tretë është ekosistemi i shërbimeve dimërore. Dimri kërkon produkte specifike si shtigje të përshtatura dhe të informuara për kushtet, pajisje me qira, guida të specializuara, pika informacioni dhe një kulturë të menaxhimit të rrezikut.
Sot, shumë nga këto hallka ekzistojnë si nisma të vogla: disa agjenci aventurash, disa guida të motivuara, disa komunitete që e kanë kuptuar se dimri duhet kurorëzuar me aktivitet. Por për ta kthyer në sektor, duhet një sistem me informacion të qartë, standarde dhe organizim.
Ka edhe një mungesë të katërt, më pak teknike e më shumë kulturore. Ne e kemi normalizuar idenë që dimri në mal është “bujtinë + darkë + foto”, dhe kaq. Kjo është e vlefshme dhe e bukur sepse mikpritja dhe gatimet janë pjesë e identitetit tonë, por nuk mjafton për ta mbushur një sezon.
Dimri duhet të ketë arsye për të qëndruar edhe kur bora s’është e përsosur, edhe kur dita është e shkurtër, edhe kur turisti kërkon më shumë se një tavolinë të ngrohtë.