Raporti i kredive me probleme ra për të nëntin vit radhazi në 2025.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 3.8%, nga 4.17% që kishte qenë një vit më parë. Kjo është hera e parë në afërsisht 18 vjet që raporti i kredive me probleme bie poshtë nivelit të 4%. Raporti i kredive ka arritur nivelin më të ulët që prej janarit të vitit 2008.
Në fakt, në përgjithësi raporti i kredive me probleme kishte shfaqur një ecuri të qëndrueshme gjatë vitit 2025 dhe u duk se rënia e vazhdueshme që po regjistrohej qysh prej vitit 2017 mund të frenohej.
Megjithatë, siç ndodh zakonisht, muaji dhjetor solli një rënie më të madhe të kredive me probleme krahasuar me muajt e mëparshëm të vitit. Deri në nëntor, raporti i kredive me probleme ishte në nivelin 4.19%, në nivele pothuajse të njëjta me fundin e vitit 2024.
Rënia më e theksuar gjatë muajit dhjetor në përgjithësi ndodh sepse bankat bëjnë një pastrim të portofoleve nga kreditë e humbura para mbylljes së vitit financiar. Volumet më të mëdha të kredive të nxjerra jashtë bilanceve ndikojnë në uljen e raportit të kredive me probleme.
Nga ana tjetër, edhe rritja e fortë e portofolit të kredisë në muajin e fundit të vitit vlerësohet se ka ndikuar pozitivisht raportin e kredive me probleme.
Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 943.5 miliardë lekëve. Vetëm gjatë muajit dhjetor, vlera e portofolit u rrit me më shumë se 18 miliardë lekë. Me bazë vjetore portofoli total i kredisë u rrit me 12.9%. Rritja e portofolit u përshpejtua më tej, krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024.
Rritja e lartë, veçanërisht në segmentin e individëve, e ka mbajtur përsëri të lartë rritjen e kreditimit, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga Banka e Shqipërisë dhe masave të marra me synim ngadalësimin e kësaj rritjeje.
Raporti i kredive me probleme sidoqoftë e vijoi rënien edhe gjatë vitit 2025, por, megjithatë, në kushtet e një rritje të shpejtë të kredidhënies vitet e fundit, por megjithatë Banka Qendrore vlerëson se është e nevojshme që bankat të ruajnë vëmendjen në procesin e analizës së aplikimeve për kredi, si edhe gjatë monitorimit të saj.
Në një prononcim për “Monitor” në fund të vitit 2025, Banka e Shqipërisë vlerësonte se duhet bërë kujdes që të kontrollohet dhe të moderohet efekti i mundshëm i zgjerimit të shpejtë të kredisë dhe i rritjes së konkurrencës në treg në relaksimin e standardeve të kreditimit.
Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme shënoi një rritje të lehtë gjatë vitit 2025. Në fund të dhjetorit, vlera e kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 35.9 miliardë lekë, nga 34.8 miliardë lekë që kishte qenë një vit më parë.