Raiffeisen Research pret një rritje të vogël të normës bazë të interesit në Shqipëri për vitin 2026. Sipas projeksioneve të Raiffeisen Research, Banka e Shqipërisë mund ta rrisë normën bazë në 2.75% deri në fund të këtij viti.
Sipas parashikimeve më të fundit të publikuara, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet pranë objektivit prej 3% në tremujorin e dytë të vitit 2026. Ndërkohë, raporti më i ri i politikës monetare, për tremujorin I 2026, nuk është miratuar dhe publikuar, për shkak të mungesës së kuorumit vendimmarrës në Këshillin Mbikëqyrës.
Monedha e fortë, megjithëse e menaxhuar nëpërmjet ndërhyrjeve në kursin e këmbimit valutor, ka ulur inflacionin e importuar, por nga ana tjetër po sfidon konkurrueshmërinë e mallrave të tregtueshme, duke theksuar nevojën për reforma me qëllim rritjen e produktivitetit.
Në analizën e vet, Raiffeisen Research nënvizon që, megjithëse inflacioni total ngelet poshtë objektivit të Bankës Qendrore, inflacioni bazë është i lartë, i nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme, rritja e pagave dhe presionet specifike me natyrë sektoriale.
Diferencat mes inflacionit total dhe atij bazë, sipas Raiffeisen Research, evidenton sfidën me të cilën përballen politikëbërësit në balancimin e goditjeve të jashtme me dinamikën e brendshme të inflacionit, duke sugjeruar që arritja e objektivit të inflacionit mund të mbetet e vështirë në afat të shkurtër.
Raiffeisen Research evidenton se tregu i punës vazhdon të karakterizohet nga rritja e fortë e pagave dhe përpjekjet e shtuara për ta formalizuar punësimin, veçanërisht në sektorë kyç si ndërtimi dhe turizmi. Rritjet e konsiderueshme të pagave minimale dhe rritja e përpjekjeve në luftën kundër nëndeklarimeve kanë kontribuar në rritjen e pagave të raportuara dhe përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave, duke sinjalizuar progres në uljen e informalitetit.
Megjithatë, Raiffeisen Research nënvizon se rritja e qëndrueshme e pagave që tejkalon produktivitetin, veçanërisht në shërbime dhe ndërtim, mund të ushtrojë presion në rritje mbi kostot e punës për njësi dhe inflacionin bazë, duke e komplikuar zhvendosjen përfundimtare të inflacionit drejt objektivit.
Raiffeisen Research gjithashtu vlerëson se, në përgjithësi, mekanizmi i transmetimit të politikës monetare të Shqipërisë po funksionon mirë, pavarësisht nivelit të lartë të Euroizimit të ekonomisë. Një nga arsyet mund të jetë regjimi fleksibël i kursit të këmbimit dhe ekuilibrat e tregut të kredisë.
Raiffeisen Research shprehet se trajektorja e politikës fiskale, me suficite primare të konsiderueshme të pritshme pas vitit 2027, pritet të ulë borxhin publik, të rrisë besueshmërinë fiskale dhe të ulë primet e rrezikut sovran, duke mbështetur kështu kosto më të ulëta huamarrjeje dhe duke nxitur një mjedis të qëndrueshëm për rritje të vazhdueshme ekonomike.