Card Image

Numri i abonentëve të internetit nga linjat fikse pësoi një rënie të lehtë në tremujorin e parë të vitit.

Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve për tremujorin e parë arriti në afërsisht 681 mijë, me një rënie 0.7% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Megjithatë, numri i abonentëve vazhdon rritjen me bazë vjetore, me 7.1% më shumë krahasuar me tremujorin e parë 2024.

Tregu i shërbimit të internetit broadband me linja fikse në përgjithësi paraqitet mjaft konkurrues, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë dhe tërheq investime në infrastrukturë rrjeti nga operatorët.

Kjo ka bërë që numri i abonentëve të rritet në mënyrë të vazhdueshme, duke e ngushtuar prapambetjen historike që ka pasur vendi ynë në depërtimin e linjave fikse të komunikimit dhe të shërbimeve që mbështeten te to.

Sipas AKEP, vitin e kaluar sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer rreth 2.89 miliardë lekë investime në rrjetet e tyre duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2023 ku kjo shifër ishte rreth 2.75 miliardë lekë.

Sipas raportimeve, edhe në këtë vit investimet janë kanalizuar kryesisht në funksion të përmirësimit të aksesit të shërbimeve broadband rreth 87% e totalit, ku ndër investimet kryesore është fokusimi drejt zhvendosjes së rrjeteve të transmetimit nga teknologjia DSL (me tela bakri) drejt teknologjisë me fibër optike.

Sipas të dhënave nga AKEP, në fund të tremujorit I 2025, tregu kryesohej përsëri nga One Albania, që raportonte më shumë se 150 mijë abonentë në shërbimin e internetit me brez të gjerë, shifër që përbën afërsisht 22% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të tregut.

One Albania ka pësuar tkurrje të numrit të abonentëve me 1.3% gjatë tremujorit, por ky numër ngelet në rritje vjetore me 3.8%. Pas bashkimit mes dy operatorëve mes One Telecommunications dhe Albtelecom, kompania e re, One Albania ka përmirësuar ndjeshëm ecurinë e saj në segmentin e shërbimeve fikse.

Vodafone Albania për tremujorin e parë raportonte më shumë se 147 mijë abonentë, në rritje me 2.1% gjatë tremujorit dhe me 15.6% krahasuar me një vit më parë. Vodafone mban vendin e dytë në tregun e internetit, me 21.6% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg. E treta pozicionohet ASC (Tring), me 9% të numrit të abonentëve, e ndjekur nga Abissnet, me 6%, Digicom, me 5% dhe Nisatel, me 4%. Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonale dhe lokalë, që, të marrë së bashku, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë afërsisht 28% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Sipas të dhënave më të fundit financiare, të vitit 2024, volumi i tregut të shërbimeve nga rrjetet fikse vitin e kaluar ra në 11.6 miliardë lekë, me një rënie prej 2% krahasuar me një vit më parë