
Kredia në euro iu kthye rritjes vitin e kaluar, e mbështetur sidomos nga kërkesa e bizneseve dhe nga ulja e normave të interesit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar sektori bankar dha kredi të reja në euro për një vlerë të barazvlefshme me 153.7 miliardë lekë.
Kredia në euro u rrit me 13.7% krahasuar me vitin 2023, por shifrat nuk janë të rregulluara me efektin e kursit të këmbimit. Nëse mbajmë parasysh se kursi mesatar i këmbimit euro-lek ra me 7.4% vitin e kaluar, rritja e kredisë në euro, e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, do të ishte afërsisht 21%.
Rritja e portofolit të kredisë në euro erdhi e gjitha nga segmenti i bizneseve private, ndërsa kredia për individët dhe ndërmarrjet publike pësoi përsëri tkurrje vitin e kaluar.
Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kompanitë private morën hua në euro për një shumë të përgjithshme prej 130.4 miliardë lekësh, në rritje me 24.3% krahasuar me një vit më parë. Viti i kaluar u karakterizua nga një rritje e shpejtë e kreditimit të biznesit në tërësi, rritje që u mbështet në pjesën më të madhe pikërisht nga kredia në euro.
Ndërkohë, kredia për individë në euro pësoi rënie në 20.4 miliardë lekë, 16.6% më pak krahasuar me një vit më parë.
Kredia në euro pësoi një frenim në vitin 2023, për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit, përveç efektit statistikor të rënies së kursit të këmbimit të euros me lekun. Madje, një pjesë e huamarrësve vendosën të konvertonin kreditë ekzistuese nga euro në lek, duke shfrytëzuar kursin e favorshëm të këmbimit, por edhe faktin se për herë të parë normat e interesit në lekë zbritën në nivele më të ulëta se ato në euro.
Por, vitin e kaluar, Banka Qendrore Europiane nisi uljen e normave të interesit, pas një cikli dyvjeçar në rritje. Kjo ka ulur rrjedhimisht edhe normat e interesit të euros në tregjet financiare, duke përfshirë treguesin benchmark që përdoret për indeksimin e huave në monedhën europiane, Euriborin.
Në fillim të muajit mars, Euribori 12-mujor ishte në nivelin 2.39%, nga 3.75% që kishte qenë një vit më parë. Ulja e Euriborit reflektohet automatikisht në normat e interesit të kredive me interesa të ndryshueshme në euro.
Banka Qendrore Europiane po vazhdon me uljen e normave të interesit të euros dhe të enjten aplikoi një ulje të mëtejshme, me 0.25 pikë përqindje. Norma e interesit të depozitave ditore zbriti në 2.5%, ndërsa ajo e instrumenteve bazë të rifinancimit në 2.65%. Pritshmëritë e analistëve janë për një ulje të mëtejshme të normave të interesit këtë vit, që do të reflektohet në një ulje të mëtejshme të çmimit të kredisë në monedhën europiane.
Kjo krijon premisa për rritje të mëtejshme të kredisë në euro nga sektori bankar shqiptar, duke ndjekur një cikël mjaft të pozitiv të huadhënies në ekonominë vendase. Vitin e kaluar, kredia për ekonominë u rrit me ritmet më të larta që prej vitit 2009. Në afat të shkurtër, as masat e marra nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet rritjes së kërkesave minimale për kapital ndaj bankave nuk pritet të sjellin një ndikim të rëndësishëm në frenimin e kreditimit.