Card Image

Ish-Blloku do të kthehet në një hapësirë urbane që favorizon këmbësorët dhe nxit ecjen. Projekti është bashkëpunim i Bashkisë së Tiranës me rrjetin botëror “WALK 21”, i cili promovon aktivitetin e ecjes dhe mbështet të drejtën e qytetarëve për të ecur në një mjedis të sigurt dhe mikpritës.

Projekti i referohet tre rrugëve kryesore të bllokut, Rrugës “Ismail Qemali”, rrugës “Pjetër Bogdani” dhe rrugës “Brigada 8”. Ai gjithashtu është i aplikuar në kryqëzimet e këtyre rrugëve dhe rrugës “Sami Frashëri”, si dhe përfshin disa rifinitura të rrugës “Vaso Pasha”.

Më konkretisht, rrugët “Brigada VIII” dhe “Pjeter Bogdani” do të çlirohen nga rreshti i parkimit, i cili do t’i shtohet hapësirës së trotuarit, duke krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të rehatshëm për këmbësorët. Zgjerimi i trotuareve do të lehtësojë qarkullimin, do të përmirësojë aksesin për të gjithë dhe do të krijojë mundësi për më shumë hapësira publike.

Ndërsa Rruga “Ismail Qemali”, duke qenë një rrugë kryesore, do të ketë një korsi biçikletash dhe vetëm një rresht parkimi. Për shkak të rëndësisë së saj është parashikuar parkim vetëm nga njëra anë, duke ruajtur një balancë mes aksesit të mjeteve dhe përparësisë për këmbësorët dhe çiklistët.

Po ashtu, përpara institucioneve arsimore do të realizohen sheshe të sigurta, të cilat do të mundësojnë akses më të lehtë dhe më të sigurt për fëmijët, duke reduktuar rreziqet nga trafiku dhe duke krijuar një ambient më të përshtatshëm për prindërit dhe nxënësit.

I pranishëm në prezantimin e projektit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se ky është një hap i mirë edhe për shmangien e trafikut të automjeteve.

“Duhet t’i shmangemi idesë që për të ulur trafikun duhet të zgjerojmë rrugët, Kjo nuk është e vërtetë, jo arteriet kryesore që lidhin qytetet me njëra-tjetrën por kam parasysh rrugët e brendshme të qytetit. Ka shumë gjasa që fluksi i trafikut të rritet, e kundërta është e vërtetë. Dekurajimi i trafikut është përgjigjja.

Kjo zonë është qendrore dhe e aksesueshme lehtësisht, një zonë nga ku banorët, distancat nuk janë të gjata dhe është një zonë që duke stimuluar ecjen do të jetë shumë më efikase edhe për bizneset që janë në zonë të cilat janë ato që ankohen të parat për ndërprerjen e aksesit me makina deri të dera.

Do t’ju sjell rastin e Vlorës ku u bë një debat për Lungomaren ku projektuesit belg sollën një rrugë të ngushtë dhe ata që e kundërshtonin doni një rrugë shumë më të gjerë. Faktikisht rruga në Lungomare funksionon më së miri.