
Financimi i bizneseve të mëdha i dha shtysën kryesore rritjes së kreditimit të ekonomisë shqiptare vitin e kaluar. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2024 portofoli i kredisë për biznesin e madh ishte në rritje vjetore me 27.7%, normë rritjeje afërsisht dy herë më e lartë se ajo e shënuar në pjesën e parë të vitit 2024.
Rritja e kredisë për biznesin e madh ishte gjithashtu dukshëm më e lartë se rritja mesatare prej 16% e kredisë për sektorin privat të ekonomisë vitin e kaluar.
Zgjerimi i portofolit të biznesit të madh portofoli ka qenë i lartë, si në lekë ashtu edhe në valutë, por teksa në segmentin në lekë, rritja ka qenë e ngjashme me gjashtëmujorin e parë, ajo në valutë ka shfaqur një zgjerim tre herë më të forte, e ndikuar edhe nga ulja e kostos së kredisë në
euro, në përgjigje të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare.
Kredia për biznesin e madh po rritet me ritmet më të larta në më shumë se 15 vjet. Muajin e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkoi nga sektori bankar shqiptar një kujdes më të madh lidhur me ekspozimet te huamarrësit e mëdhenj. Në raportin e muajit janar për Shqipërinë, stafi i FMN-në e ilustronte këtë shqetësim me rezultatet e provave të rezistencës (stres-testeve).
Sipas FMN-së, një bankë tregtare në vend nuk do të përmbushte kërkesat minimale të kapitalit rregullator, në skenarin e falimentimit të huamarrësit më të madh të çdo banke.
Në një skenar më të rënduar, që mbështetet në supozimin e falimentimit të dy huamarrësve më të mëdhenj, disa prej bankave të sektorit do të binin poshtë nivelit minimal të kërkuar të kapitalit rregullator.
Nga ana tjetër, kredia për biznesin e vogël shënoi një rritje mesatare prej 12% ose 4 pikë përqindje më shumë se gjashtë muaj më parë, ndërsa ajo për biznesin e mesëm shfaqi ngadalësim në 3.8%, si norma më e ulët e rritjes e tre viteve të fundit.
Këto dinamika brenda segmenteve të kredisë për biznesin kanë përcaktuar edhe zhvendosjen e strukturës së kredisë drejt biznesit të madh, i cili përfaqëson 53.7% të totalit, ose 5.4 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Bankat kanë rritur financimin e bizneseve në të gjithë sektorët e ekonomisë, dhe rritja vjetore e portofolit është dyshifrore për të pesta kategoritë kryesore, por më e fortë ajo ka qenë për sektorin e hoteleri – turizmit. Zgjerimi vjetor i këtij portofoli me 25%, ishte 5 pikë përqindje më i lartë se norma e shënuar në periudhën paraardhëse.
Gjithashtu, përshpejtim të ndjeshëm shënoi edhe kredia për sektorin e industrisë dhe tregtisë me norma të larta rritjeje përkatësisht me 20% dhe 15.8%. Ndërkohë, kredia për sektorin e ndërtimit dhe për bujqësinë shënoi një rritje me mesatarisht 16.5% dhe 11.4%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, këto zhvillime konfirmojnë se kërkesa e lartë për financim vjen nga bizneset e të gjithë sektorëve ekonomikë. Më e theksuar kjo kërkesë ka qenë për investime të lidhura si me sektorin energjetik- projekte për energjinë e rinovueshme; ashtu edhe me sektorin e hotelerisë, si dhe me sektorët që lidhen me hallka të tjera të zinxhirit ekonomik dhe që reflektojnë interesin e shtuar për turizëm në vendin tonë.
Në fund të vitit, shpërndarja sektoriale ka mbetur përgjithësisht e njëjtë me atë të qershorit 2024, ku sektori i tregtisë dominon portofolin me 43.8% të totalit, më pas renditet ai i industrisë që zë 20.8%, sektori i ndërtimeve dhe shërbimeve të tjera përfaqësojnë secili rreth 16.5% ndaj totalit, dhe sektori i bujqësisë me një peshë minimale prej 1.3%.
Banka e Shqipërisë vlerëson se këto zhvillime janë në linjë me kontributin sektorial të tyre në rritjen e aktivitetit ekonomik në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to".