Card Image

Pavarësisht se raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien gjatë vitit të kaluar, kostot e riskut të sektorit bankar kanë ngelur në nivele të qëndrueshme.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2025 vlera e provigjioneve (fondet rezervë për humbjet e mundshme nga kreditë dhe aktivet e tjera) ishte 30 miliardë lekë, në rënie me 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7% që nga fillimi i vitit 2025. Megjithatë, gjendja e provigjioneve është rritur krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, me 5.2% më shumë.

Në veçanti, shpenzimet e reja për provigjionimin e kredive gjatë 9-mujorit 2025 kishin vlerën e 4.63 miliardë lekëve, me një rritje të lehtë prej 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Shpenzimet e provigjioneve janë të lidhura direkt me cilësinë e portofolit të aseteve të sektorit bankar. Veçanërisht rritja e vlerës së kredive me probleme sjell edhe rritjen e shpenzimeve për provigjione. Megjithatë, ecuria e këtyre e shpenzimeve lidhet edhe me peshën specifike të secilës klasë të kredive që konsiderohen me probleme.

Për kreditë standarde bankat duhet të llogarisin provigjione më masën 1%, ndërsa për ato në vonesë nga 30 deri në 60 ditë provigjionimi kërkohet në masën 5%.

Shkalla e provigjionimit rritet kur fillon klasifikimi si kredi me probleme (me vonesë në shlyerje prej më shumë se 60 ditë). Për këtë kategori (nën standarde) kërkohet provigjionim jo më pak se 20%, për kategorinë “e dyshimtë” (me vonesë më shumë se 90 ditë) jo më pak se 50% dhe për kategorinë “e humbur” (me vonesë mbi 180 ditë) kërkohet provigjionim i plotë, në masën 100%).

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ka qenë në stanjacion gjatë vitit 2025, madje me një tendencë të lehtë rritëse në gjysmën e dytë të vitit, por duke ruajtur ende trajektoren rënëse me bazë vjetore. Në fund të nëntorit ky raport ishte në nivelin 4.19%, nga 4.48% që kishte qenë në nëntor të vitit 2024.

Në vlerë absolute, vlerësohet se stoku i kredive me probleme të ketë arritur në rreth 38.8 miliardë lekë, me një rënie të lehtë nga vlera prej 39.6 miliardë lekësh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ngadalësimi i rënies së treguesit të kredive me probleme ishte i pritshëm, në kushtet e rritjes së shpejtë të kredisë në vitet e fundit, por thekson se megjithatë ecuria e tyre është përcaktuar nga raste të veçanta.