Rritja e numrit të turistëve po reflektohet drejtpërdrejt në zgjerimin e hotelerisë dhe të shërbimeve të lidhura me të, veçanërisht në zonat bregdetare.
Në vitet e fundit janë shtuar strukturat e reja të akomodimit, ndërsa investimet janë shtrirë nga hotelet e vogla familjare te komplekset me kapacitete të mëdha.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se aktiviteti i akomodimit dhe shërbimit ushqimor po zë një peshë gjithnjë e më të madhe në ekonominë shqiptare.
Në fund të vitit 2025, kontributi i këtij aktiviteti arriti në 5.48% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i lartë i regjistruar deri tani, nga 4.96% në vitin 2024.
Rritja është e fortë edhe në krahasim me periudhën para bumit turistik. Deri në vitin 2017, akomodimi dhe shërbimi ushqimor përbënin më pak se 2% të PBB-së.
Brenda më pak se një dekade, pesha e sektorit në ekonomi është më shumë se dyfishuar, e mbështetur nga shtimi i vizitorëve të huaj, zgjerimi i fluturimeve dhe rritja e kërkesës për hotele, restorante dhe shërbime të tjera turistike.
Megjithatë, krahasimi me ekonomitë e tjera turistike të rajonit tregon se sektori ka ende hapësira për zgjerim.
Në Malin e Zi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor zënë mbi 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të favorizuara nga varësia e lartë e ekonomisë nga turizmi dhe nga numri i madh i vizitorëve në raport me popullsinë.
Zgjerimi i hotelerisë në Shqipëri pasqyrohet edhe në rritjen e kapaciteteve pritëse. Sipas INSTAT, në vitin 2024, numri i strukturave akomoduese u regjistrua në 2,098 njësi (hotele, motele, kampe, guesthouse, strehimore në mal dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra).
Ato kishin një kapacitet prej 58,509 dhomash dhe 131,212 shtretërish.
Por struktura e tregut vijon të dominohet nga njësitë e vogla dhe qiratë afatshkurtra. Sipas vlerësimit të Ministrisë së Turizmit, mbizotërimi i këtyre strukturave krijon sfida për zhvillimin afatgjatë të sektorit, për shkak të informalitetit, standardeve të pabarabarta të shërbimit dhe vështirësive për të kontrolluar kapacitetet reale të akomodimit.
Në linjë me zhvillimin e turizmit, hotelet kanë rritur me shpejtësi të ardhurat vitet e fundit, por kjo tendencë ka qenë më e dukshme në bregdet, teksa kryeqyteti ka pasur zgjerim më të dobët, i ndikuar nga konkurrenca e njësive të vogla.
I gjithë sektori është ndikuar negativisht nga rënia e euros, që ka tkurrur të ardhurat, ndonëse hotelet raportojnë se kanë shitur më shumë dhoma. Për herë të parë, hoteli më i madh në vend e ka kaluar pragun e 2 miliardë lekëve, duke iu afruar listën së më të mëdhave të “Monitor 200”.
“Meliá Durrës” bëhet më i madhi në vend pas tre vitesh aktivitet
“Management Hospitality Albania”, që ka në pronësi hotelin “Meliá” në Gjirin e Lalëzit, një investim i “Concord Investment”, po rezulton si modeli më i mirë se si duhet zhvilluar ky segment në vend. Në vitin e tretë të plotë të aktivitetit, “Meliá” është bërë hoteli më i madh, jo vetëm në bregdet, por edhe në gjithë vendin.
Të ardhurat për vitin 2025 ishin 2.1 miliardë lekë, me rritje 26.5% me bazë vjetore, pas zgjerimit prej 41.5% në vitin 2024.
Sipas burimeve nga kompania, hoteli ka 470 dhoma. Drejtues të kompanisë kanë pohuar se parashikojnë hapje të njëpasnjëshme gjatë viteve të ardhshme, gjë që jo vetëm do të diversifikojë praninë e “Meliá”-s, por edhe do të rrisë më tej nivelin e sektorit të mikpritjes në vend.
Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion tërheqës për investime falë vijës së saj të paprekur bregdetare, mjedisit pro-biznes dhe vendndodhjes strategjike. Hoteli ka rreth 430 të punësuar në pikun e sezonit.
Grupi “Fafa” ka zbritur në grupin e dytë më të madh hotelier në vend për të ardhurat, ndërsa vijon të jetë ndër më të mëdhenjtë për kapacitetet hoteliere.
Nga viti 2020, aktiviteti i “Fafa” sh.p.k. është i ndarë në dy shoqëri. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025, të ardhurat e “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Resort” arritën në 2 miliardë lekë, me rritje 16% me bazë vjetore, pas zgjerimit me 20% vitin e mëparshëm.
“Grand Blue Fafa” kishte të ardhura prej 1.1 miliardë lekësh dhe “Fafa Restort”, 942 milionë lekë në vitin 2025.
Grupi ka 7 hotele “Grand Blue Fafa”, “Fafa Aqua Palace”, “Fafa Aqua Blue”, “Fafa Beach”, “Fafa Sun Hotel”, “Fafa Mel Holiday”, “Fafa Premium”, në zonën e Golemit dhe Kavajës.
Të gjitha hotelet kanë kapacitet prej 900 dhomash, me gati 2 mijë shtretër. Në struktura janë rreth 500 të punësuar.
“The Plaza Tirana”, që menaxhon hotelin më të madh në kryeqytet, “Maritim Hotel Plaza Tirana”, është struktura e dytë më e madhe hoteliere në vend, si një njësi e vetme, pas “Meliá” dhe e treta, duke përfshirë grupin “Fafa”. Kompania deklaroi të ardhura prej 1.27 miliardë lekësh, me rritje të lehtë 3.7% me bazë vjetore.
Sipas burimeve, rritja e ngadaltë lidhet kryesisht me zhvlerësimin e euros, që ka ulur ndjeshëm të ardhurat, si dhe informalitetin e lartë në treg, që nuk mundëson vendosjen e çmimeve të larta sipas kategorizimit të yjeve, ndërkohë që numri i dhomave të shitura ka qenë më i lartë.
“Gjatë këtij viti kemi pasur rritje të numrit të turistëve edhe nga vende nga të cilat nuk i kemi pasur më parë, si Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Katari”, thuhet në raportin e aktivitetit. Hoteli ka 190 dhoma. “Për vitin 2026, të ardhurat parashikohen të jenë në të njëjtat nivele, ndërsa për sa u takon shpenzimeve, parashikohen të jenë në të njëjtin nivel ose më të ulëta.
Gjithashtu, rritja e madhe e çmimeve të karburantit dhe e të gjitha çmimeve të produkteve bazë, në përgjithësi, mund të sjellë ulje të fitimit”, thuhet në raport.
“Rafaelo Resort” është struktura e katërt më e madhe hoteliere në vend për të ardhurat. Në vitin 2025, shoqëria raportoi të ardhura prej 1.25 miliardë lekësh, me rritje 2% me bazë vjetore.
Resorti ka 650 dhoma dhe apartamente me kapacitet 2000-2100 shtretër duke qenë struktura më e madhe në vend për numrin e shtretërve.
“Tirana Marriott Hotel”, pjesë e grupit FINMAN, është ngjitur në strukturën e pestë më të madhe hoteliere në vend, pas rritjes me 17%, duke deklaruar të ardhura prej 1.1 miliardë lekësh.
Ky është viti i dytë që aktiviteti raportohet i ndarë nga “Alb-Star”, përmes shoqërisë “FINMAN Hospitality”.
“Golden Eagle”, që menaxhon “Rogner Tirana”, raportoi 927 milionë lekë të ardhura, me rritje vjetore 7.1%. “Aktiviteti ekonomik gjatë vitit 2025 ka qenë në kuotat e një viti të mirë, duke shënuar, në krahasim me vitin 2024, një rritje në të ardhura nga aktiviteti i shfrytëzimit në masën rreth 6,6%, ndonëse me pothuajse të njëjtën normë dhomëzënie të hotelit.
Në mënyrë që të ruajë avantazhin konkurrues dhe të zhvillojë e të forcojë pozicionin e saj në treg, shoqëria ka vijuar me planin për investime në rikonstruksionin e plotë të dhomave – faza e dytë, duke rritur kështu më tej veprimtarinë ekonomike të saj”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“Geci”, që administron “Hotel Tirana International”, raportoi të ardhura vetëm nga hoteli prej rreth 900 milionë lekësh. Hoteli sjell më pak se një të tretën e të ardhurave të kompanisë, me pjesën tjetër që vjen nga ndërtimi. Kompania ka investuar në hotelin e ri, me markën ndërkombëtare “InterContinental”, që pritet të vihet në funksion së shpejti.
“Bonita”, me aktivitet në zonën e Golemit, raportoi të ardhura prej 665 milionë lekësh, me rritje 30%, duke qenë i dyti më i madh në zonën e Golemit, pas hoteleve të grupit “Fafa”. Shoqëria ka disa komplekse hoteliere të mëdha dhe ka marrë në administrim hotelin “Dolce Vita”.
“Hotel Internacional Skelë” është më i madhi në zonën e Jugut, me të ardhura prej 638 milionë lekësh, me tkurrje 20% me bazë vjetore në vitin 2025.
“Xheko Imperial” në Tiranë ngadalësoi ritmet e rritjes, me 2.8% në 626 milionë lekë në vitin 2025, pas zgjerimit me 27% vitin e mëparshëm.
“Kastrati Hotels & Towers”, që menaxhon “Mak Albania Hotel”, raportoi të ardhura prej 533 milionë lekë në 2024-n, ndërsa për 2025-n nuk ka publikuar ende të dhënat.
Në Jug, struktura e dytë më e madhe hoteliere është “Marina Bay”, pjesë e “Maritim”, me të ardhura 591 milionë lekë në vitin 2025, me rritje 19.4%.
“Alpas 2E”, operatori pas administrimit të “Hilton Garden INN Tirana” kishte të ardhura prej 517 milionë lekësh, me rritje 19.1%.
“Hotel Brilliant” në Durrës deklaroi 503 milionë lekë të ardhura, me rritje 4.1%.
Oferta e luksit në Jug po jep efektet e para
Një prej zhvillimeve më të rëndësishme në vitin 2025 ishte nisja e aktivitetit e “Green Coast Hotel – MGallery Collection”, që shënoi një tjetër hap drejt konsolidimit të ofertës së luksit në Jug të vendit. Hoteli ishte funksional nga 2 korriku 2025.
Në vitin e parë jo të plotë të aktivitetit, hoteli realizoi të ardhura prej gati 470 milionë lekësh, duke qenë në rrugë për t’u bërë struktura më e madhe hoteliere në Jug të vendit.
Ky është hoteli i parë i markës “MGallery” në vend dhe është rezultat i një partneriteti strategjik midis Grupit BALFIN dhe Grupit Accor.
Hoteli me 5 yje shtrihet në një sipërfaqe totale ndërtimi prej 16,379 m² dhe përfaqëson një investim deri më sot prej 37 milionë eurosh (pa TVSH), sipas burimeve zyrtare. Hoteli disponon 131 dhoma.
Në shtator, një natë në këtë hotel kushtonte rreth 450-500 euro, duke e bërë atë më të shtrenjtin në vend dhe të parin që hyn në një segment elitar. Sipas burimeve zyrtare, deri në tetor, zënia e dhomave ka qenë 70%.
Sipas kombësisë së klientëve, mbizotërojnë ata shqiptarë, 48%, të ndjekur nga Zvicra, 12%; SHBA-ja, 10%; Gjermania, 5%; Mbretëria e Bashkuar, 4%; Franca, 4%.
Golemi, nga hotelierë në zhvillues të pasurive të paluajtshme
Zona e Golemit ishte ndër të parat që solli një model pozitiv të zhvillimit të turizmit. Ndryshe nga Jugu, ku interesi ishte kryesisht për vila, sipërmarrësit e Adriatikut e shfrytëzuan kërkesën që erdhi nga agjencitë e mëdha turistike europiane dhe parablerjen e dhomave nga ana e tyre për të financuar ndërtimin e hoteleve me konceptin të gjitha të përfshira.
Tashmë zona po shkon në drejtim të kundërt. Disa nga shoqëritë më të mëdha hoteliere në bregdetin e Golemit, janë kthyer në zhvillues të pasurive të paluajtshme dhe po ndërtojnë godina, kryesisht për shitje apartamentesh. Shumë kompani janë përfshirë dhe në projektet rezidenciale po në bregdet.
“Bonita Konstruksion”, që zotëron dhe “Hotel Bonita”, të dytin më të madh në zonën e Golemit, hyri për herë të parë në listën e 200 më të mëdhave, si rrjedhojë e projekteve që po zhvillon në bregdetin e Durrësit, me të ardhura prej gati 2.3 miliardë lekësh. Një vit më parë, kompania mori një leje ndërtimi për objektin:
“Godinë shërbimi hoteleri me 21 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë”, me vendndodhje në Golem, Bashkia e Kavajës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Bonita Konstruksion” sh.p.k.
“Grand Brilliant”, që zotëron “Brilliant Hotel & SPA” po zhvillon projekte ndërtimesh rezidenciale në zonën e Kavajës, sipas faqes zyrtare.
Kompania deklaroi të ardhura prej 1 miliard lekësh, me zgjerim të fortë prej 116% në vitin 2025, pas 6-fishimit me vitin e mëparshëm. Kompania reklamon apartamente elitare në një kompleks të madh “Narea” që po zhvillon në Qerret, Kavajë.
Edhe grupi “Fafa”, një vit më parë, mori leje zhvillimi për një “strukturë hoteliere dhe rezidenciale 3-4-5-7-8-10-11-14-19 kate mbi tokë, me 3 kate nën tokë”, me vendndodhje në Kryemëdhenj, Bashkia e Kavajës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Grand Blue Fafa Resort” sh.p.k.
“Mrizi i Zanave” konkurron hotelet me xhiro
Në zhvillimin e agroturizmit në Shqipëri, “Mrizi i Zanave” është një nga modelet pioniere dhe më të konsoliduara. Sipërmarrja e ngritur nga Altin Prenga në Fishtë të Lezhës ndërtoi një koncept të mbështetur te tradita, produktet e zonës dhe lidhja e drejtpërdrejtë me fermerët, duke u kthyer më pas në pikë reference edhe për një sërë agroturizmesh të tjera që u hapën në vend.
Të ardhurat e shoqërisë arritën në 482 milionë lekë në vitin 2025, me rritje prej 8% në raport me një vit më parë. Përmasat e aktivitetit janë tashmë të krahasueshme me qarkullimin vjetor të disa prej hoteleve relativisht të mëdha në vend, duke treguar se agroturizmi mund të shndërrohet nga një aktivitet lokal në një biznes me peshë të konsiderueshme ekonomike.
Modeli i “Mrizit të Zanave” u frymëzua nga eksperienca e Altin Prengës në Itali. Ai ka treguar më herët për “Monitor” se atje kishte parë se si çdo zonë ruante identitetin e vet përmes kuzhinës, produkteve dhe traditave lokale.
Pas kthimit në Shqipëri në vitin 2010, z. Prenga nisi të ndërtonte në Fishtë një koncept që do të rikthente në restorant recetat dhe produktet autentike shqiptare.
Një nga shtyllat kryesore të modelit është lidhja me ekonominë lokale. Produktet sigurohen në pjesën më të madhe nga fermerët e Zadrimës dhe zonave përreth.
“Monitor” ka raportuar se fermerët, të cilët më parë kishin vështirësi të gjenin treg për fruta dhe prodhime të tjera, nisën t’i furnizonin ato te “Mrizi i Zanave”, ndërsa sipërmarrja zhvilloi edhe përpunimin e tyre në produkte të gatshme.
Ky model krijoi një treg të qëndrueshëm për prodhimin vendas dhe një zinxhir ekonomik që shtrihet përtej vetë restorantit. Ndikimi është i dukshëm edhe te punësimi.
Pjesa më e madhe e stafit është rekrutuar nga zona dhe përbëhet kryesisht nga të rinj, ndërsa aktiviteti ka krijuar të ardhura indirekte për fermerë dhe familje të tjera rurale.
Në të njëjtën zonë janë hapur më pas edhe agroturizme të tjera që funksionojnë duke u mbështetur te furnizimet nga fermerët përreth.
Viti 2025 konfirmoi edhe qëndrueshmërinë e këtij segmenti. Altin Prenga ka pohuar për “Monitor” se kërkesa për agroturizmet vijoi të rritet, e mbështetur kryesisht tek interesi i vizitorëve për “autentiken dhe tradicionalen”.
Ndryshe nga disa segmente të turizmit klasik, që patën luhatje gjatë sezonit, agroturizmi tregoi ecuri më të qëndrueshme.
Pas një faze të gjatë zgjerimi, “Mrizi i Zanave” është orientuar më shumë drejt rritjes së cilësisë sesa drejt shtimit të kapaciteteve. Z. Prenga ka deklaruar se sipërmarrja ka plotësuar hallkat kryesore të ciklit të saj dhe synimi është përmirësimi i vazhdueshëm i prodhimit dhe i eksperiencës që u ofrohet vizitorëve.