
Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje edhe në tremujorin e dytë të vitit 2025.
Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues, të Bankës së Shqipërisë, kërkesë e lartë për kredi u raportua në të gjitha kategoritë e biznesit, ndërsa sipas qëllimit të përdorimit kërkesa erdhi kryesisht për kredi me qëllim financimin e investimeve. Kërkesa për kredi në mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet u raportua më e ulët.
Në gjykimin e bankave, rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve, nga niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe nga treguesi i besimit të biznesit.
Sipas bankave, kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet edhe në tremujorin e tretë të vitit 2025, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.
Nga ana e tyre, bankat raportuan se standardet e kreditimit për bizneset mbetën të pandryshuara në tremujorin e dytë të vitit 2025. Ato u raportuan të pandryshuara në kreditë si për biznesin e madh, ashtu edhe për biznesin e vogël e të mesëm. Standardet nuk ndryshuan dhe në kreditë për financimin e investimeve dhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Gjithashtu, shkalla e miratimit të kredive për bizneset mbeti e pandryshuar në tremujorin e dytë. Faktorët që ndikojnë në shkallën e refuzimeve për kredi për bizneset shfaqën ndryshime minimale në këtë tremujor.
Në tremujorin e tretë të vitit 2025, standardet e kreditimit priten të mbeten të pandryshuara, si në kreditë sipas madhësisë së biznesit, ashtu edhe në ato sipas qëllimit të përdorimit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për biznesin po vazhdon të rritet me ritme të shpejta edhe në pjesën e parë të vitit 2025. Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë së bizneseve arriti në rreth 488 miliardë lekë. Vlera e portofolit është në rritje vjetore me 12.7%, duke ruajtur afërsisht të njëjtat nivele rritjeje që shënonte vitin e kaluar.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kreditimi i ekonomisë po rritet me ritme shumë të shpejta, veçanërisht në segmentin e pasurive të paluajtshme.
Për këtë arsye, qysh prej vitit të kaluar Banka Qendrore ka marrë disa masa për të frenuar rritjen e kredisë, si kërkesa shtesë për mjaftueshmërinë e kapitalit, ndërsa këtë vit nisi edhe aplikimin e kufizimeve direkte lidhur me kredinë për blerje banesash nga individët. Shtrëngimi i kritereve të riskut për kreditimin e familjeve, megjithatë, mund të krijojë hapësira që bankat të rrisin objektivat e tyre të huadhënies në segmentin e biznesit.